Ambasadori suedez: Vështirë të jepen parashikime për datën e liberalizimit të vizave për Kosovën

Ambasadori suedez: Vështirë të jepen parashikime për datën e liberalizimit të vizave për Kosovën

Ambasadori i Mbretërisë së Suedisë në Kosovë, Henrik Nilsson, thotë se nuk është koha që të jepen parashikime për datën e mundshme për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Sipas tij, Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret që Komisioni Evropian ia ka përcaktuar për liberalizimin, përpos njërit, e ai është kriteri për luftimin e korrupsionit.

“Mendoj se është e rëndësishme që kur flasim për liberalizimin e vizave të qëndrojmë tek 90 kriteret plus ato që Komisioni Evropian ka përcaktuar për Kosovën. Dhe vlerësimi jonë është që në rregull, ka mbetur edhe një kriter, ndërsa të tjerat janë përmbushur. Ne jemi në kontakt të ngushtë me Komisionin Evropian dhe si ta them ata e kanë edhe përvojën kur vjen fjala për të vlerësuar nëse Kosova nuk e ka përmbushur si duhet një kriter apo jo. Unë dua të theksojë po ashtu se këto kritere janë, sigurisht synimi ka qenë arritja e liberalizimit të vizave dhe për të udhëtuar lirshëm në shtete e zonës Schengen, por janë si të them edhe shumë përfitime tjera për shoqërinë kosovare në përgjithësi… Unë mendoj që është shumë vështirë që të bëhen parashikime në këtë kohë, sepse është e pamundur të dihet tani për tani. Ndoshta nuk është shumë frytdhënëse që në këtë kohë dhe situatë të mendo het shumë për datën se kur do të ndodh, sa do të ishte fokusimi në plotësimin e kriterit të fundit dhe pastaj të niset prej aty”, ka thënë Nilsson.

Ai po ashtu ka folur për kërkesën e KE-së ndaj Kosovës që të dorëzohet një raport të historikut (track record report) me të dhëna lidhur me vendime finale gjyqësore, pra të Apelit, për raste të krimit të organizuar dhe korrupsioni, e sidomos korrupsionit zyrtar.

Nilsson këshillon Qeverinë e Kosovës që të fokusohet në këtë kërkesë sa i përket vizave më tepër se sa në datën.

“Ne bashkëpunojmë ngushtë me Komisionin Evropian dhe Komisioni Evropian me Qeverinë e Kosovës dhe këtu është e shtrirë gjithçka, nëse mund të them kështu. Ata [Komisioni Evropian] kanë kërkuar një raport (track record) dhe kur KE e bënë vlerësimin mbi këtë ne e dëgjojmë më vëmendje vlerësimin për këtë, dhe unë nuk kam ndonjë këshillë të veçantë përtej kësaj pra. Sepse më tepër do të inkurajoja Qeverinë e Kosovës që të punojë për të përmbushur këtë kriterin e fundit”, ka thënë ambasadori Nilsson.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *